Të nderuar qytetarë dhe arsimtarë,

Me vendosmërinë dhe përkushtimin për të ndryshuar rrënjësisht shërbimet që ofrohen nga institucionet publike në Shqipëri, qeveria ka ndërmarrë një nismë për të zvogëluar në maksimum burokracinë me të cilën përballemi prej vitesh e vitesh me radhë.

Synimi ynë është të ulim sa më shumë kostot financiare dhe kohën që Ju nevojitet për të përfituar shërbime publike, duke reduktuar numrin e dokumentacionit si certifikata, leje, licenca apo autorizime që institucionet shtetërore kërkojnë në këmbim të shërbimeve të ofruara.

Në të njëjtën kohë, synojmë të nxisim shërbimet online, për të shmangur radhët e gjata në sportele, për të eliminuar korrupsionin dhe për të sjellë administratën shtetërore sa më pranë nevojave Tuaja.

Edhe pse ka ende shumë për të bërë në këtë drejtim, dëshiroj të ndaj me Ju disa prej arritjeve të deritanishme:

Nëse për të marrë shërbimet në MASR dhe institucionet e varësisë deri dje ju kërkoheshin 254 dokumente, tashmë do t’ju duhet të paraqisni vetëm 86 dokumente për të marrë 44 shërbimet e ofruara.

Për 33 dokumente në total që kërkonin noterizim, 23 prej tyre janë eliminuar.

Ne do të aplikojmë formularin e vetëdeklarimit në 3 shërbime dhe vetëm pasi jeni shpallur fitues do të paraqisni dosjen me dokumentet e reduktuara po ashtu.

Po ashtu, barra e marrjes së dokumenteve më poshtë kalon nga ju tek zyrat e ofrimit të shërbimit, duke i gjeneruar ato përmes platformës elektronike e-Albania apo nëpërmjet ndërveprimit dhe komunikimit midis institucioneve:

  1. Certifikatë personale,
  2. Certifikate familjare,
  3. Certifikatë lindjeje,
  4. Vërtetim vendbanim,
  5. Kopje e dokumentit të identifikimit,
  6. Regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB),
  7. Deklaratë që subjekti juridik ka të ardhura financiare të mjaftueshme për hapjen e aktivitetit, etj.

Të dashur prindër,

Për të regjistruar fëmijët Tuaj në arsimin parashkollor, klasë të parë apo në gjimnaz, nga 20 dokumente që ju duheshin, tashmë do të dorëzoni vetëm 7, duke kursyer jo pak kohë sorollatje nëpër institucione, por dhe minimalisht 2’600 lekë.

Nëse do të transferoni fëmijët Tuaj në arsimin bazë brenda vendit apo nga një shkollë e mesme tek një tjetër, nga 18 dokumente në total që duheshin për këto shërbime, tashmë do të dorëzoni vetëm 6.

Ju prindër, krenarë për fëmijët Tuaj, të cilët përfitojnë bursë ekselence, tashmë do të paraqiteni vetëm me një kërkesë nga 5 dokumente që duhej të dorëzonit. Institucioni dhe jo ju, ka detyrën të bëjë verifikimin e shkollës dhe notave të deklaruara.

Me këtë proces i japim fund edhe mundimit të familjeve nga kategoritë në nevojë që përfitojnë tekste falas. Nuk ju duhet më të parapaguani dhe pastaj të rimbursoheni. Për 100 mijë nxënës përfitues, tashmë është shkolla ajo që përgatit dokumentacionin dhe iu mundëson tekstet.

  Të dashur studentë,

Ju që aspironi të përfitoni nga bursat e Fondit të Ekselencës, në dosjen e aplikimit do të dorëzoni vetëm 3 dokumente nga 10 të kërkuara.

  Të nderuar akademikë,

Për njohjen e titujve si “Profesor” dhe “Profesor i Asociuar”, nga 10 dokumente të kërkuar në total, tashmë do të dorëzohen 6 të tilla. Ndërkaq, për njohjen dhe njehsimin e gradës shkencore "Doktor" nga 8 dokumente, do të kërkohen vetëm 4.

Megjithatë, ndonëse jemi përpjekur të bëjmë më të mirën që shërbimet publike në Shqipëri të përmirësohen ndjeshëm, jemi të vetëdijshëm se kemi ende shumë punë për të bërë.

Sugjerimet dhe komentet Tuaja mbi çfarë është bërë dhe çfarë ende duhet bërë, janë mënyra më e mirë për të çuar përpara punën e nisur, për t’u shkëputur njëherë e mirë nga korrupsioni dhe burokracia dhe për t’i kthyer shërbimet publike në shërbime për qytetarët.

Ndaj Ju lutem të kontaktoni me ne përmes platformës së bashkëqeverisjes

https://www.shqiperiaqeduam.al/#kuvendi ose përmes adresës së email-it deregulimi@arsimi.gov.al.

Juaja sinqerisht,

Lindita NIKOLLA

Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë