Libri i Transparencës plotëson tërësisht kuadrin e informimit të saktë dhe të plotë të maturantëve/kandidatëve, dukuri që përshkon të gjithë procesin e Maturës Shtetërore dhe të pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik (IALP) nëpërmjet sistemit Meritë Preferencë.

Në Librin e Transparencës çdo maturant/kandidat gjen të gjithë elementet përbërës të rezultateve të përfundimit të shkollës së mesme:


1. Mesataren e përgjithshme të shkollës së mesme
2. Rezultatin e provimit të Letërsisë
3. Rezultatin e provimit të Matematikës
4. Rezultatet e provimeve të dy lëndëve me zgjedhje
5. Preferencat e përzgjedhura prej tij në Formularin A2, për programet e studimit që ofrojnë IALP-të për vitin akademik 2014-2015.


Mbi bazën e elementeve të lartpërmendura, në libër janë publikuar dhe pikët e fituara nga secili maturant/kandidat për çdo preferencë të  përzgjedhur prej tij/saj gjatë aplikimit online të formularit A2, të llogaritura këto në bazë të koeficienteve të miratuara nga MAS pas propozimeve të IALP-ve.

Çdo maturant/kandidat, pas leximit në Librin e Transparencës të pikëve të grumbulluara nga ana e tij në secilin program studimi të përzgjedhur, si dhe pikëve të fituesve të fundit të publikuara tashmë në Web Site e Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP) www.akp.gov.al dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS) www.arsimi.gov.al , arrin të gjykojë se në cilën degë ka më shumë shanse të fitojë.

Vëmë në dukje se për maturantët/kandidatët të cilët ndër preferencat e përzgjedhura kanë dhe programe studimi që parashikojnë zhvillimin e konkurseve, pikët për këto programe studimi do të dalin pas publikimit të rezultateve të konkurseve.