Hyrje

Kurrikula kuptohet si sistemi i përbërë nga disa elemente me synime arsimore që, të lidhura mes tyre, mundësojnë të orientohet dhe të funksionojë sistemi arsimor, nëpërmjet planeve arsimore dhe administrative. Kurrikula bazohet në realitete historike, shoqërore, gjuhësore, politike, fetare, gjeografike dhe kulturore të një vendi. Me anë të saj sigurohet arsimimi cilësor dhe i barabartë për çdo pjesëtar të shoqërisë, pavarësisht nga përkatësia etnike, seksi, pozita shoqërore dhe ndryshime të tjera.

Në kurrikul, ndër të tjera, përcaktohet se çfarë duhet të dinë dhe çfarë duhet të jenë në gjendje të bëjnë si duhet nxënësit, cilat vlera dhe qëndrime duhen kultivuar, si duhen aftësuar ata për bashkëjetesë e tolerancë, si mund të japin ndihmesë në mënyrë aktive për mirëqenien shoqërore dhe vetjake etj.

Me ndryshimet që ndodhin në shoqëri, shfaqen nevoja të reja, marrëdhënie të reja në shoqëri dhe në tregun e punës, risi teknologjike, aspirata të reja njerëzore, strategji të reja për zhvillim etj. Këtyre ndryshimeve, arsimi duhet t’u përgjigjet me ritme të shpejta, me zhvillime të brendshme sasiore e cilësore, për të mundësuar njohuri të reja, shkathtësi, vlera dhe qëndrime të përshtatshme, sistematike, koherente dhe në zhvillim të përhershëm.

Në këto kushte, nevoja për ndryshime kurrikulare që synojnë kompetencat, rishfaqet gjithnjë e më shpesh si domosdoshmëri në fushën e politikave arsimore dhe praktikën shkollore, ndaj përbën thelbin e reformave arsimore, në përgjithësi dhe atyre kurrikulare, në veçanti.

Në morinë e ndryshimeve të shumta e të shpejta, sasiore e cilësore në të gjitha fushat e jetës, vendi ynë aktualisht po kristalizon edhe përmbajtjen e reformës kurrikulare, si një ndër drejtimet kryesore të kësaj reforme.

Reforma jonë kurrikulare merr parasysh:

·         nevojat, zhvillimet e sotme dhe qëllimet e sistemit arsimor, të shpallura në dokumentet e ndryshme të politikave arsimore;

·         traditën e sistemit tonë arsimor, që është bazë për vazhdimin e reformës;

·         nevojën për rritjen e cilësisë së arsimit dhe trajnimit;

·         nevojën për të garantuar mundësi të barabarta për arsimim dhe trajnim cilësor për të gjithë;

 

·         hapjen e sistemit arsimor ndaj botës.

 

Kliko këtu ta shkarkosh të plotë