Arsimi parauniversitar është në një proces reformimi, që përfshin të gjithë sistemin arsimor, dokumentacionin kurrikular, organizimin dhe vlerësimin e të nxënit, reformimin e sistemeve të formimit fillestar, të kualifikimit dhe të zhvillimit profesional të burimeve njerëzore në punë, deri tek infrastruktura fizike e institucioneve arsimore.

Element i rëndësishëm i reformës është reforma e kurrikulës. Deri më sot kurrikula ka qenë e organizuar në programe të lëndëve të veçanta, të cilat strukturoheshin kryesisht më vete, të pa lidhura me njëra tjetrën, që vinin theksin te formimi teorik dhe më pak tek ai praktik. Shpesh mungonte koherenca vertikale dhe horizontale mes tyre, ishin të mbingarkuara dhe jo të përshtatshme me nivelin e zhvillimit moshor të nxënësve. Shkalla e integrimit ishte e ulët, për pasojë nxënësit nuk arrinin të zgjidhnin një problem në situata komplekse.

Reforma synon që kurrikula të zhvillojë kompetencat kyçe evropiane, që nxënësit tanë të jenë të aftë të zgjidhin problemet komplekse të jetës së sotme si në nivel personal ashtu edhe në nivel kombëtar e global. Me anë të saj sigurohet arsimimi cilësor dhe i barabartë për çdo pjesëtar të shoqërisë, pavarësisht nga përkatësia etnike, seksi, pozita shoqërore dhe ndryshime të tjera.

Kurrikula është e strukturuar në gjashtë shkallë, të cilat paraqesin periudha me karakteristika të përbashkëta për sa i përket zhvillimit të fëmijëve dhe kërkesave të vetë kurrikulës. Ajo strukturohet sipas kompetencave kyçe dhe rezultateve të nxënit për kompetencë dhe organizohet në fusha të nxëni.

Kompetencat kyçe sipas të cilave strukturohet kurrikula e reformuar janë:

  1. Kompetenca e komunikimit dhe e të shprehurit
  2. Kompetenca e të menduarit
  3. Kompetenca e të mësuarit për të nxënë
  4. Kompetenca për jetën, sipërmarrjen dhe mjedisin
  5. Kompetenca personale
  6. Kompetenca qytetare
  7. Kompetenca digjitale

Ndërsa fushat e të nxënit janë:

  1. Gjuhët dhe komunikimi
  2. Matematikë
  3. Shkencat e natyrës
  4. Shoqëria dhe mjedisi
  5. Arte
  6. Edukim fizik, sporte dhe shëndet
  7. Teknologji dhe TIK

 

Në kurrikul përcaktohen se çfarë duhet të dinë dhe çfarë duhet të jenë në gjendje të bëjnë si duhet nxënësit, cilat vlera dhe qëndrime duhen kultivuar, si duhen aftësuar ata për bashkëjetesë e tolerancë, si mund të japin ndihmesë në mënyrë aktive për mirëqenien shoqërore dhe vetjake etj. Në të njëjtën kohë, kurrikula i qartëson nxënësit dhe prindërit e tyre për drejtimin, nivelin dhe pikëmbërritjet e të nxënit në shkallë dhe nivele të ndryshme arsimore, të cilat janë bazë për nivelet dhe shkallët pasardhëse.

Në zbatim të politikave arsimore qeveritare dhe në këndvështrimin e integrimit evropian, kurrikula e Shqipërisë është përqasur me të Kosovës. Ky është një proces që ka filluar dhe po zhvillohet me ritme të shpejta dhe që po konkretizohet me unifikimin e dokumentacioneve themelore të politikës arsimore dhe kurrikulare.

Reforma kurrikulare e arsimit parauniversitar, nga pikëpamja e dokumentacionit, bazohet në një sërë dokumentesh shtetërore të cilat pasqyrojnë politikat dhe strategjitë e zhvillimeve arsimore për të ardhmen. Ndër to, dokumentet më të rëndësishm janë Korniza Kurrikulare, Kurrikulat Bërthamë dhe Programet e fushës/lëndës.

Zbatimi i kurrikulës së reformuar në shkolla do të sjellë:

  • Ndryshimin e konceptimeve për të nxënit.
    Konceptimet bashkëkohore për procesin e të nxënit theksojnë rolin aktiv të nxënësve në zhvillimin e njohurive të reja dhe të kompetencave. Nxënësit duhet të jenë veprimtarë aktivë në procesin e ndërtimit, zbatimit dhe vlerësimit të tyre.
  • Ndryshimin e rolit të mësuesit.
    Ata do të jenë të lirë të zhvillojnë dhe zbatojnë programet dhe planet mësimore për klasë, të zgjedhin burimet dhe mjediset e të nxënit, të jenë drejtues dhe krijues të situatave të të nxënit, të jenë më të përgjegjshëm për profesionin e tyre.
  • Bashkëpunimin e mësuesve dhe të gjithë aktorëve dhe palëve të interesuara.
    Në këtë mënyrë rritet roli dhe përgjegjësia e shkollës për mirëfunksionimin e strukturave të saj. Shkolla zhvillohet si një qendër shumëplanëshe, që ofron shërbime arsimore cilësore, në bashkëpunim me komunitetin dhe në shërbim të tij.
  • Reformimin e formimit fillestar dhe zhvillimit profesional të mësuesve.
    Rol të veçantë merr kurrikula e formimit të mësuesve në universitet që duhet të jetë në koherencë me konceptimet e reja të reformës kurrikulare.
  • Zgjerimin e burimeve të të nxënit.
    Teksti nuk do të jetë burimi i vetëm i të nxënit. Gjithsesi, edhe tekstet do të konceptohen ndryshe, në funksion të konceptimit dhe strukturës së kurrikulës me bazë kompetencat.
  • Ndryshimin e vlerësimit.
    Reforma kurrikulare shoqërohet dhe me reformën e vlerësimit, e cila kushtëzohet nga qasja me bazë kompetencat.
  • Zgjerimin e autonomisë dhe të përgjegjshmërisë së shkollës.

 

Për zbatimin me sukses të reformës kurrikulare, kanë role dhe përgjegjësi të ndara disa institucione, si: MAS, IZHA, AKP , ISHA, DAR/ZA, shkollat.